Qarku Tirane

Tirana shembull për pasionin europian për ndryshim

Published at : 03/04/2017 - 21:19

Më 27 Mars 2017 në Kroaci u mbajt Konferenca Ndërkombëtare “Roli rajoneve në propozimin e projekteve prioritare të BE, strategjia e Eurorajonit Adriatiko-Jonian (EUSAIR).

Në konferencë merrnin pjesë Presidenti i Eurorajonit Adriatiko-Jonian dhe Presidenti i Rajonit të Dubrovnikut, Nikola Dobroslavić, zëvendëspresidenti i Eurorajonit Adriatiko – Jonian dhe kryetari i Këshillit Bashkiak dhe Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi, Presidentë të rajoneve dhe qarqeve të zonës së Adriatikut ( Itali, Kroaci, Mal i Zi, Shqipëri, etj).

Takimi u hap nga Presidenti i Rajonit të Dubrovnikut Nikola Dobroslavić ku u fol për projekte strategjike që lidhin rajonet e Adriatikut dhe Jonit si autostrada blu, bashkëpunimi me universitetet dhe Dhomat e Tregtisë.

Në fjalën e tij Kryetari i Qarkut Tiranë dhe njëkohësisht zëvendëspresidenti i Eurorajonit, Aldrin Dalipi kërkoi intensifikimin e përpjekjeve për të bërë më prezent rolin dhe bashkëpunimin e rajoneve në fushat e strategjitë për turizmin, për një zonë të detit Adriatik më të pastër si dhe për rritjen e lidhjeve përmes transportit detar dhe ajror mes njëri-tjetrit për të afruar komunitetet tona.

Ndërkaq duke sjellë shembullin e ndryshimit të Tiranës, Dalipi theksoi se : “Tirana është shembull ndryshimi dhe për Eurorajonin Adriatiko-Jonian”, ku vlerësoi kryebashkiakun Erion Veliaj për kurajon, energjinë e pasionin europian për ndryshim.