Qarku Tirane

Tirana përkujtoi sot 104-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë

Published at : 28/11/2016 - 22:05

Bashkia e Tiranës nderon me titullin “Qytetar Nderi” Adem Demaçin Në sheshin simbol të shqiptarëve, sheshi “Skënderbej”, nën tingujt e Bandës frymore të Tiranës, u zhvillua ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, si dhe drejtues të Bashkisë dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak.

Me ceremoninë e ngritjes së flamurit të pranishmit uruan qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë për këtë ditë të veçantë. Kryebashkiaku Veliaj tha se në këto momente, akti më i madh patriotik është puna për modernizimin e qytetit dhe të gjithë Shqipërisë.

“Kemi më shumë nevojë sot, në dallim nga 104 vite më parë kur luftonim me armë, sot na duhet të punojmë, e sot na duhet të modernizojmë Tiranën e të gjithë Shqipërinë. Ndaj sot, për Bashkinë e Tiranës, akti më i madh që mund të bëjmë është t’i lëmë fjalët, të hapim më shumë kantiere si ky, të fokusohemi te puna dhe ta modernizojmë qytetin tonë, që është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve. Dje përfunduam me sukses një nismë, “Unionin e Bashkive Shqiptare” në rajon, sepse kemi kuptuar që megjithëse jemi të ndarë në 5 shtete, me kryetarë komunash dhe bashkish, kemi një fat që rrethohemi nga shqiptarë të tjerë dhe kjo është një arsye për të punuar bashkë”, tha ai.

Veliaj deklaroi se vitin tjetër flamuri do të ngrihet në sheshin më të bukur të trevave shqiptare dhe në rajon. Menjëherë më pas Tirana ka nderuar politikanin dhe shkrimtarin e njohur kosovar, Adem Demaçi, me titullin “Qytetar Nderi”.

Në një ceremoni të posaçme në ambientet e Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetari i Këshillit Bashkiak i kanë dorëzuar Adem Demaçit titullin “Qytetar Nderi” si dhe “Çelësin e Qytetit” me motivacionin e intelektualit të shquar, simbol i rezistencës së gjithanshme, për liri, pavarësi dhe prosperitet, për kontributin dhe sakrificat e tij ekstreme, dhe popullit të pavarur të Kosovës, si dhe për forcimin e lidhjeve tradicionale mes qytetarëve të të njëjtit Komb.

Në fjalën e tij të rastit, kryebashkiaku Veliaj u shpreh i lumtur që i jepej mundësia që t’i dorëzonte këtë titull nderi një figure kaq të madhe të çështjes shqiptare, aq më shumë kur një ditë e tillë përkoi edhe me festën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kreu i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi duke vlerësuar figurën e Adem Demaçit, theksoi se ai është patriot i madh dhe një figurë qendrore në luftën për pavarësinë e Kosovës, dhe që tashmë, e ka siguruar vendin e tij të lavdishëm në historinë e gjithë shqiptarëve.

Nga ana e tij, Adem Demaçi falënderoi Tiranën për këtë vlerësim, duke theksuar se ka qenë një dëshirë e tij e përhershme që të gjithë shqiptarët të festonin të lirë pavarësinë e tyre.