Qarku Tirane

Tirana në axhendat kulturore ndërkombëtare, mirëpret 230 artistë të rinj, pjesëmarrës në edicionin e 18 të Bienales së Mesdheut

Published at : 07/05/2017 - 22:57

Kryeqendra e Shqipërisë, Tirana është kthyer në “shtëpinë” e 230 artistëve të rinj nga Mesdheu dhe Europa, pjesëmarrës në edicionin e 18 të Bienales së Artistëve të Rinj “Mediterrane 18”, duke e renditur vendin tonë në axhendat kulturore ndërkombëtare.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj falënderoi artistët pjesëmarrës në Bienale, të cilët kanë provokuar debate, për të cilat sipas tij shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë duke u shprehur optimist se edhe pas Bienales së Mesdheut, do të ketë të tjera mundësi bashkëpunimi.

Po ashtu, Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi ka vlerësuar si një moment të rëndësishëm për kryeqytetin performancën e shumë të rinjve artistë të huaj dhe vendas në ditët e Bienales në Tiranë.

Një prej kuratorëve të Bienales, Eroll Bilibani falënderoi kryebashkiakun Veliaj për bashkëpunimin dhe për mundësitë që u janë ofruar artistëve për të performuar. “Unë besoj se ky është vetëm fillimi sepse kryetari i Bashkisë së Tiranës ka krijuar hapësira të bukura publike. Ne besojmë se publikun mund ta angazhojmë edhe përmes artit dhe kulturës”, tha Bilibani.

Bienalja e Mesdheut përfshin një sërë aktivitetesh deri në datën 28 maj. Në krye të Mediterraneas janë kuratorë të njohur në zhanre të ndryshëm si: Jonida Turani për Artet e Aplikuara, Maja Çiriç për Artet Pamore, Ema Andrea për performancat, Maria Rosa Sossai për Letërsinë e Leximin, Alban Nimani dhe Rubin Beqja për muzikën, si edhe për filmin, Eroll Bilibani.