Qarku Tirane

Tirana mbushi 100 vjet Kryeqytet i Shqipërisë, Dalipi: Dita për t’u përulur me respekt për çdo qytetar të thjesht të familjeve fisnike të Tiranës

Published at : 12/02/2020 - 11:14

Më 11 shkurt Tirana mbushi një shekull Kryeqytet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve.

Me këtë rast, Bashkia e Tiranës nderoi me medalje mirënjohjeje disa nga familjet më të nderuara të qytetit, të cilat kanë kontribuar ndër vite. Në ceremoninë kushtuar kësaj ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar, morën pjesë deputetë, anëtarë të qeverisë, kryetarë bashkish nga vendi dhe trevat shqiptare, kryetari i Qarkut Tiranë, personalitete të klerit dhe të kulturës shqiptare, si dhe pasardhës të familjeve të vjetra tiranase.

Kryebashkiaku i Tiranës nënvizoi se Tirana sot është jo vetëm epiqendra politike, kulturore, sociale, por edhe fuqia ekonomike.

Ai theksoi se ky 100 vjetor është edhe një moment për të parë atë që është bërë në këtë një shekull dhe për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen.

Kryetari i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi gjatë fjalës së tij tha se Tirana është sot një kryeqendër europiane përsa i përket transformimit dhe modelit të ndryshimit të shpejtë.

Më poshtë fjala e plotë e zotit Dalipi mbajtur me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet i Shqipërisë...

I nderuar kryetar i bashkisë Veliaj, Prefekte e Tiranës, kryetar i Këshillit bashkiak, të pranishëm.

Tirana, qytetarët e saj, atdheu, kombi ynë po bëhen pjesë e një rrugëtimi të rëndësishëm të historisë sikurse është 100 vjetori i shpalljes së Tiranës kryeqytet.

Tirana jonë është sot një kryeqendër europiane përsa i përket transformimit dhe modelit të ndryshimit të shpejtë.

Disa ditë më parë Presidenti i Parlamentit Europian zoti Davide Sasoli ndërsa vizitoi kryeqytetin dhe vlerësoi kryetarin Veliaj u shpreh: ”Ne kemi nevojë për kryetarë të bashkive të pasionuar dhe të përkushtuar si ju në Bashkimin Europian. Le të vazhdojmë betejën sëbashku për të ardhmen tonë europiane”.

Janë këto mesazhe frymëzuese të dashur qytetarë, është shpallja e kryeqytetit tonë si qendër europiane për rininë për vitin 2022 që na bëjnë krenar e shpresëplotë për Tiranën e 100 viteve që vijnë, janë shembujt si kryebashkiaku ynë dhe skuadra e tij që me rrugën që ndërtuan, frymëzuan modele të reja në territor që punojnë për ndryshimin.

Jam i lumtur që më është dhënë mundësia, sëbashku me këshilltarë progresistë, të bashkëpunoj me ju, ndërsa kemi çmuar shumë energjinë, kurajon dhe vendosmërinë tuaj për të marrë vendimet e duhura dhe të drejta për Tiranën tonë.

Qytetarë të Qarkut të Tiranës të cilët ju mikpritën në Rrogozhinë e Kavajë ndërsa vinit nga Lushnja e Kongresit vlerësuan mesazhet tuaja optimiste dhe plot shpresë për të sotmen dhe të ardhmen.

Është padyshim sot dita për t’u përulur me respekt dhe shprehur mirënjohjen për çdo qytetar të thjesht, grua e burrë, familjet fisnike të Tiranës, ata që mikpritën qytetarë të rinj në shekuj, personalitete në qeverisjen vendore e qendrore, të gjithë ata që vendosën gurë të themelit dhe kontribuuan për kryeqytetin tonë!

Gëzuar 100 vjetorin e Tiranës!