Qarku Tirane

Tirana feston 73-vjetorin e çlirimit, aktivitete për të përkujtuar këtë ngjarje historike

Published at : 17/11/2017 - 16:01

Me rastin e 73-vjetorit të Çlirimit nga pushtuesit nazifashistë, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, kryetari i Qarkut dhe Këshillit bashkiak, Aldrin Dalipi, ministra, deputetë, përfaqësues të qeverisë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, si dhe dhjetëra veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare, morën pjesë në ceremoninë e përkujtimit të kësaj dite dhe sakrificës që mijëra të rinj dhe të reja bënë për çlirimin e kryeqytetit. Në shenjë mirënjohje dhe nderimi, për të gjithë ata që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës, si dhe për ata qindra të tjerë që u bënë pjesë e luftës antifashiste, në monumentin e “Ushtarit të Panjohur” u vendosën kurora me lule.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj shprehu mirënjohjen për sakrificat dhe veprën që të rinjtë e të rejat bënë për çlirimin e kryeqytetit dhe njëkohësisht familjet tiranase që hapën dyert e mikpritjes.
Ai u shpreh se në këto kohë, çdo qytetar do të duhet të japë kontributin e tij, duke punuar për qytetin, për komunitetin dhe për një të ardhme më të mirë.

Nisur nga shembulli pozitiv që dhanë të rinjtë dhe të rejat e këtij qyteti gjatë luftës për çlirimin e Tiranës, Veliaj theksoi se vendi ka ende nevojë për këta heronj të panjohur që japin kontributin e tyre çdo ditë që vendi ynë të bëhet më i mirë.

Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi theksoi se "në 73 vjetorin e çlirimit të Tiranës, kujtojmë me mirënjohje dhe nderime, sakrificën e mijëra të rinjve dhe të rejave për çlirimin e kryeqytetit dhe njëkohësisht familjet tiranase që hapën dyert e mikpritjes".

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, vlerësoi veprën heroike të gjithë atyre që luftuan për çlirimin e kryeqytetit dhe kërkoi prej të gjithëve që të punojnë për një Shqipëri Europiane.

Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari, shprehu mirënjohjen për sakrificat e të rinjve dhe të rejave dhe të gjithë popullit të Tiranës në luftën ndaj pushtuesit, ndërsa apeloi për më shumë bashkëpunim dhe harmoni.

Në këtë ditë të shënuar për kryeqytetin, u organizuan një sërë aktivitetesh për të përkujtuar këtë ngjarje historike.