Qarku Tirane

Tiranë, projekti i “ALSAR”, çanta dhe kancelari shkollore për 1000 nxënës në nevojë

Published at : 02/10/2017 - 15:30

Këtë fillim viti shkollor Fondacioni “ALSAR” pajisi me çanta dhe kancelari shkollore 1000 nxënës në nevojë në zonat Shkozë, Vaqar, Kashar. Gjithashtu u dhuruan karrige për kopshtet e Tiranës, si dhe kompjutera dhe soba ngrohëse për shkollat në zonat periferike.

Realizimi i projektit mirëbërës u finalizua në Shkollën “Androkli Kostallari”, Tiranë me fëmijë të komunitetit rom dhe ata në nevojë, në të cilën morën pjesë: Kryetari i Fondacionit “Alsar”, Mehdi Gurra si dhe Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, N/Kryetari i Bashkisë Tiranë, Andi Seferi, të cilët vlerësuan ndihmesën e vyer të Fondacionit “ALSAR” si në drejtim të zhvillimit të projekteve të përkujdesjes sociale ndaj njerëzve në nevojë ashtu dhe në atë të përmirësimit të infrastrukturës arsimore.

Gjatë dhënies së ndihmave ishte i pranishëm dhe N/Kryetari i Sindikatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve, Huseyin Öz me cilësinë e përfaqësuesit të organizatës partnere që kontribuoi për sponsorizimin e këtyre projekteve.

Realizimi i projektit është një kurorëzim i suksesshëm i zhvillimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet Fondacionit “ALSAR” dhe institucioneve shtetërore me synimin për të kontribuar në drejtim të përmirësimit të shërbimit arsimor në Qarkun e Tiranës.