Qarku Tirane

Tiranë-Pekin, delegacion i nivelit të lartë kinez në 10-vjetorin e binjakëzimit të marrëdhënieve mes kryeqyteteve

Published at : 07/09/2018 - 17:49

Në 10-vjetorin e binjakëzimit Tiranë-Pekin, Kryetari i Këshillit Bashkiak dhe Qarkut të Tiranës, z.Aldrin Dalipi takoi znj. Yan Aoshuang, zv. Kryetare e Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Popullore të kryeqytetit kinez.

Zonja Aoshuang ishte në krye të një delegacioni të lartë kinez që vizituan Tiranën ku u diskutua për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy qyteteve në disa sektorë të rëndësishëm.

Gjatë takimit mes delegacioneve u fol për hapat konkretë dhe marrëdhëniet mes dy këshillave bashkiakë. Vendosja e kontakteve me komisionet përkatëse të dy institucioneve, inkurajim i kontakteve dhe bashkëpunimit mes sipërmarrjeve, universiteteve, zhvillimit teknologjik, rritje e cilësisë së jetës përmes programeve të ndryshme, ishin disa nga temat e diskutuara në takim. Tirana, epiqendër e marrëdhënieve të Europës me Kinën Po ashtu delegacioni kinez u prit edhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Kjo është një marrëdhënie që ka nisur 10 vite më parë, kur Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Pekinit bënë binjakëzimin midis dy qyteteve. Ka qenë një marrëdhënie e shkëlqyer në këtë dekadë të parë dhe mezi presim të nisim një bashkëpunim edhe më intensiv me Pekinin në fushën e transportit, investimeve dhe në fushën e kulturës dhe turizmit, sepse i shohim si baza të një marrëdhënie të shëndoshë për ta çuar më tej binjakëzimin tonë”, tha Veliaj, teksa në shenjë miqësie i dorëzoi Nënkryetares së Komitetit të Përhershëm të Kongresit Popullor të Bashkisë Pekin, Yan Aoshuang, edhe “Çelësin e Qytetit”.

Tirana është përzgjedhur si qyteti mikpritës i Forumit të Bashkëpunimi 16+1 në nivelin e kryetarëve të bashkive për vitin 2019, nismë e krijuar nga Kina, që synon të thellojë dhe zgjerojë bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe kulturor me 11 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe 5 vende të Ballkanit. Veliaj shprehu bindjen se ky Forum i nivelit të lartë do ta kthejë Tiranën në një epiqendër të marrëdhënieve të Europës me Kinën.

“Një nga gjërat që dakordësuam sot është se Tirana është përzgjedhur si qyteti mikpritës i Forumit “Kina +16”, në nivelin e kryetarëve të bashkive për vitin 2019. Mund të themi se që sot, përveshëm mëngët për t’u përgatitur për të pritur në Tiranë delegacionin e qeverisë kineze dhe 16 kryetarët e bashkive të Europës Qëndrore dhe Lindore. Kjo do ta kthejë Tiranën në një epiqendër të marrëdhënieve të Europës me Kinën”, tha ai.

Gjatë kësaj vizite, kryetarja e delegacionit Yan, Aoshuang, kryebashkiaku i Tiranës dhe kryetari Këshillit Bashkiak dhe Qarkut të Tiranës vizituan edhe Parkun e Liqenit, ku u përuruan edhe “Bisedkat kineze”, një vepër që përcjell traditën kineze të ndërtimit në Shqipëri; kjo hapësirë do të shërbejë si një vend çlodhjeje, por edhe për biseda mes miqsh. Në mënyrë simbolike të miqësisë mes dy qyteteve, u mbollën edhe 24 bredha.