Qarku Tirane

Siguria detare, sfida e një të ardhmeje më të mirë për rajonin

Published at : 01/10/2018 - 12:31

Këshilli i Qarkut Tiranë organizon tryezën “Adriatiku, deti që bashkon veprimin për mbikëqyrjen dhe garantimin e sigurisë detare”

Rritja e sigurisë detare përmes komunikimit më të ngushtë dhe nismave konkrete, ishte objektivi kryesor i tryezës që mblodhi në Tiranë ekspertë nga vendet bregdetare të rajonit.

Takimi “Adriatiku, deti që bashkon veprimin për mbikëqyrjen dhe garantimin e sigurisë detare” prezantoi projekte të reja dhe në vazhdim, lidhur me sfidat që duhet të tejkalojnë institucionet.

Vijimësia e këtyre tryezave dhe e komunikimeve, garanton një proces transparent për projektet e sigurisë detare që janë duke u zhvilluar në partneritet me rajonet tona” u shpreh në fjalën e tij z.Aldrin Dalipi, Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë dhe njëkohësisht zv.president i Eurorajonit Adriatiko- Jonian.

Pjesëmarrësit në tryezë, përfaqësues të autoriteteve qendrore, rajonale, lokale, fushës akademike dhe zhvillimore, përmes diskutimeve të tyre sollën risi në trajtimin e çështjeve të sigurisë detare në Adriatik.

Ata evidentuan gjithashtu problematika të ndryshme që kërkojnë angazhim shumëpalësh për zgjidhjen e tyre.

Secili prej tyre theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe eficent të palëve, në kuadër të rritjes së sigurisë detare edhe si një shtysë konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit dhe shtimit të shkëmbimeve turistike dhe ekonomike mes vendeve të eurorajonit Adriatiko Jonian.

Në emër të partnerëve në të dy anët e Adriatikut dhe në gjithë Eurorajonin Adriatiko Jonian, pjesëmarrësit në takim, garantuan vijimësinë e angazhimit dhe kontributit reciprok në trajtimin e çështjeve shumë-dimensionesh të sigurisë detare.

Në këtë tryezë morën fjalën z. Petro Koçi, zv.Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes, znj.Paola Di Salvatore, Drejtore e Shërbimit të Bashkëpunimit Territorial dhe Projekteve të BE në Rajonin Abruzzo, Kryetari i Qarkut të Vlorës, z.Ervis Moçka, gjithashtu edhe përfaqësues të Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Në përfundim të diskutimeve, u prezantuan arritjet e projektit “Blue NET”, zhvilluar nga qarku i Shkodrës, me temë “Inovacioni, element sigurie në sektorin detar në vendet e Mesdheut”.