Qarku Tirane

Reshjet e dendura, situata në Qarkun e Tiranës dhe apeli ndaj qytetarëve

Published at : 01/12/2017 - 10:59

Reshjet e dendura të orëve të fundit kanë krijuar vështirësi në disa akse në Qarkun e Tiranës.

Ndërsa zona urbane e Tiranës është në situatë të monitorueshme, problem ngelen disa fshatra në periferi.

Problematike paraqitet zona në Njësinë Nr. 6 në periferi të Kombinatit, por dhe disa fshatra në zonën e Pezës.

Shumë pika problematike të së kaluarës si Don Bosco dhe Pallati me Shigjeta për herë të parë pa probleme pas investimeve. Fokusi mbetet në zonat informale ku ka ndërtime në përrenj e kanale.

Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj janë në terren duke monitoruar situatën.

Pavarësisht situatës së emergjencës që është krijuar në gjithë vendin, autoritetet vendore në Tiranë kanë kërkuar nga qytetarët që të mos përfshihen nga paniku, por të bashkëpunojnë me 1200 forcat që Bashkia e Tiranës ka në terren dhe njësitë e tjera të specializuara në raste të tilla.

Në bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve vendore dhe qendrore mbi 300 punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe nënkontraktorëve të firmave të mirëmbajtjes së rrugëve janë të angazhuar në terren. Me mbështetjen e policisë, që nga mbrëmja e kaluar po vazhdon puna për normalizimin e aksit rrugor që lidh Tiranën me Vorën dhe sensin e kundërt.

Paraditen e sotme është normalizuar edhe situata në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas.

Të gjitha strukturat e shtetit, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit, Emergjencat Civile, punonjësit e OSHEE, ata të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, Këshillat e Qarqeve, Prefekturat, Bashkitë, Ministrat, etj., janë në krye të detyrës në aktivitet të plotë për përballimin e situatës së vështirë.

U bëhet apel të gjithë qytetarëve që të ndjekin kërkesat e bëra publike më parë në lidhje me sigurinë e tyre dhe bashkëpunimin me autoritetet. Ruajtja e jetës është prioriteti numër një i momentit.
Po ashtu u bëhet apel gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të bashkëpunojnë me shtabet e emergjencave për të ofruar mundësi akomodimi për personat e evakuuar.

Përmes një mesazhi në tuitter, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka falënderuar të gjithë punonjësit dhe ekipet lokale të ndihmës për marrjen e masave për përballimin e problematikave, duke i cilësuar ata heronj. Ai ka evidentuar faktin se falë investimeve afatgjata të Bashkisë së Tiranës, situata në dy lumenjtë që përshkojnë Tiranën kësaj here kanë qenë e normalizuar dhe nuk ka sjellë problematik për banorët.