Qarku Tirane

Qytetarët i bashkohen Bio Festës dhe Ditës së Çlirimit në Petrelë, Krrabë dhe Bërzhitë

Published at : 15/11/2015 - 20:20

Qytetarët e Tiranës iu bashkuan këtë fundjavë festës së organizuar në Petrelë, Krrabë dhe Bërzhitë për promovimin e produkteve të zonës dhe përkujtuar festën e Çlirimit të kësaj zone. Në fjalën e mbajtur në këtë takim, kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi, falenderoi të gjithë qytetarët që kontribuojnë në ditë të tilla, duke u bërë pjesë e këtyre organizimeve dhe apeloi për solidaritet midis njëri-tjetrit. “Uroj që bashkë të kemi momente të këndshme dhe solidariteti me njëri-tjetrin. Sot e gjithë Evropa ndodhet në një ditë të vështirë, qytetarët e bashkisë së Parisit ndodhen po ashtu në një moment shumë të vështirë, ndaj në emrin tuaj dhe në emër të Këshillit Bashkiak të Tiranës e Bashkisë së Tiranës, do të doja që së bashku të shprehnim ndjenjën e solidaritetit të gjithë atyre që janë prekur nga ky moment shumë i dhimbshëm”, deklaroi z. Dalipi. Sipas tij, ky mesazh është për të gjithë ne, që pasuritë tona, natyrën dhe vlerën e solidaritetit me njëri-tjetrin ta ruajmë edhe për të ardhmen. Duke u fokusuar te bio fest, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Andi Seferi, tha se qëllimi i këtyre organizimeve është që nëpërmjet promovimit, këto zona të marrin zhvillim, si fermerët, por edhe konsumatorët që vijnë dhe blejnë këtu. “Bashkia e Tiranës është duke konceptuar një treg të përbashkët për gjithë këto zona, për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, pa pasur shumë nevojë të shkojnë nga ana tjetër e Tiranës. Duke krijuar një treg të përbashkët, gjithsecili nga fermerët do të ketë mundësi të promovojë e shesë produktet e tij”, deklaroi z. Seferi. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se aktiviteti i organizuar për njësitë Petrelë, Bërzhitë dhe Krrabë i bashkon jo vetëm festa, por edhe çlirimi, si dhe ftoi të gjithë qytetarët që të shijojnë bukurinë e këtyre zonave.