Qarku Tirane

Qytetarët e rajonit të Tiranës përfitues direkt të vendimeve të Këshillit të Qarkut

Published at : 04/05/2017 - 17:26

Këshilli i Qarkut të Tiranës i ka hapur dritën jeshile kalimit të pronësisë të pasurive të paluajtshme të ndërtuara deri më 10.08.1991 e të truallit funksional të tyre familjeve në Vorë dhe Kavajë.

Administrata e këtij institucioni shqyrtoi me kujdes një numër të konsiderueshëm të praktikave dhe të dokumentacionit shoqërues ardhur nga këto bashki duke iu përgjigjur kërkesës së qytetarëve në një kohë rekord. Puna voluminoze kërkoi ditë të tëra përqendrim dhe vëmendje me motivin e vetëm për t’i dhënë qytetarëve një të drejt që ata e kanë kërkuar prej vitesh.

Gjithashtu, në mbledhjen e zhvilluar më 28 prill 2017, Këshilli i Qarkut miratoi dhe propozimin për “dhënie shtesë pensioni të posaçëm shtetëror”, të disa personaliteteve të njohura të cilët kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e shkencës, kulturës, arteve, ekonomisë, mësimdhënies dhe edukimit të brezave të rinj, si pianistja Anita Tartari, piktori Naxhi Bakalli, inxhinieri Ruzhdi Karapici, etj.

Këshilltarëve iu është dhënë informacion për punën e bërë për përgatitjen e dosjeve dhe miratimin e listës me 209 familjeve që do të mund të përfitojnë ndihmë shtetërore financiare për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e nëntorit 2016 në njësitë administrative të Qarkut Tiranë.

Këshilltarët u njohën dhe me disa projekte të rëndësishme në fushën e turizmit, kulturës që priten të implementohen në rajonin e Tiranës në bashkëpunim me rajonet vendore pjesë e Eurorajonit Adriatiko-Jonian.