Qarku Tirane

Presidenti i Rajonit Abruzzo, D’Alfonso: Bashkëpunim në projekte që zhvillojnë rajonet tona

Published at : 19/09/2017 - 13:02

Me ftesë të Kryetarit të Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Z. Aldrin Dalipi zhvilloi në Tiranë një vizitë pune Presidenti i Rajonit të Abruzzo-s, Itali, Z. Luciano D’Alfonso në krye të një delegacioni.

Vizita hapi perspektivën për bashkëpunim më të ngushtë mes Rajonit të Abruzzo-s, Bashkisë Pescara me Bashkinë e Tiranës dhe Qarkun e Tiranës në fusha me interes të përbashkët, shkëmbim eksperiencash në fushën e infrastrukturës dhe mobilitetit për projektet e BE ku rajoni Abruzzo është tepër aktiv.

Presidenti D’Alfonso gjatë takimeve intensive që kishte u njoh nga afër mbi ndryshimet e dy viteve të fundit në Tiranë dhe shprehu vlerësimin dhe mbështetjen e Rajonit të Abruzzos për Bashkinë e Tiranës.

Gjatë vizitës në zyrën e kryetarit të Bashkisë, zoti D’Alfonso u nderua me “Çelësin e Tiranës” nga kryebashkiaku Veliaj. Veliaj nënvizoi në këtë takim vlerësoi rolin e rëndësishëm të zotit D’Alfonso për nxitjen e sipërmarrësve nga Abruzzo dhe Italia që të investojnë në vendin tonë.

Në takim u theksua gjithashtu, bashkëpunimi intensiv dhe frymëzues për të dy qytetet tona teksa u vlerësuan përpjekjet e pareshtura të Presidentit të Rajonit Abruzzo në promovimin e Tiranës.

Me iniciativën e zotit D’Alfonso dhe mbështetjen e rajonit të Abruzzo-s ka nisur prej 4 muajsh linja ajrore nga aeroporti ndërkombëtar i Pescara-s drejt Tiranës dhe anasjelltas.

Gjatë vizitës Presidenti D’Alfonso u prit dhe nga Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, zonja Sonila Qato, me drejtues të Bankave Italiane në Tiranë. Po ashtu pati një takim në Ambasadën Italiane me drejtues të organizatave të Italisë që punojnë në Shqipëri.

Gjithashtu ai vizitoi sheshin ‘Skënderbej’ dhe muzeun BunkArt si dhe pati një takim kortezie në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane ku vlerësua harmonia fetare që ekziston në vendin tonë.