Qarku Tirane

Përurohet rikonstruksioni i kopshtit Nr. 60, kushte moderne për 75 fëmijë

Published at : 21/11/2017 - 09:33

Në Ditën Botërore të Fëmijëve, kopshti nr. 60 në kryeqytet hapi dyert për të mirëpritur disa nga më të vegjlit e Njësisë 3. I rikonstruktuar dhe tërësisht modern, kopshti i ri, me mjedise të zgjeruara, do të ndikojë në uljen e ngarkesës në kopshtet e tjera përreth tij.

Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin e plotë të kopshtit, i cili priti 75 fëmijë të ndarë në 3 grupe, duke shërbyer edhe si kopsht me drekë. Në ceremoni morën pjesë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi dhe Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar të cilët inspektuan përfundimin e punimeve për transformimin e kopshtit.

Duke falenderuar ambasadën turke për kontributin e dhënë, Veliaj ftoi edhe ambasadat e tjera që t’i bashkohen nismave të bashkisë për rikonstruktimin e institucioneve arsimore.

Financimet për ndërtimin dhe rikonstruksionin e kopshteve dhe të çerdheve do të vijojnë edhe për vitin e ardhshëm, ku falë buxhetit të Bashkisë së Tiranës 15% më të lartë, fokusi do të jetë për ndërtimin dhe rehabilitimin e kopshteve dhe të çerdheve në zonat periferike.

Kreu i Bashkisë tha se një pjesë e mirë e buxhetit të bashkisë shkon për të subvencionuar shërbimet bashkiake në të mirë të komunitetit. Ndaj, ai ftoi qytetarët që të tregohen të rregullt në shlyerjen e detyrimeve, ndërsa theksoi se nuk do të ketë asnjë rritje taksash për vitin e ardhshëm.

Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, e cilësoi këtë një moment të bukur për të gjithë komunitetin e njësisë Nr. 3, ndërsa vlerësoi të gjithë ata që kontribuon për këtë investim të rëndësishëm. “Është një moment i bukur sa herë që inaugurohet një kopsht në Tiranë sepse është një gëzim për fëmijët, për prindërit, për komunitetin për gjithkënd që banon në këtë lagje. Ne bashkëpunuam ngushtë me TIKA-n dhe unë i falënderoj sot, të cilët janë një agjenci shumë, shumë e mirë e qeverisë turke dhe e shtetit turk, dhe shpresoj që edhe në të ardhmen të kemi këtë bashkëpunim. Si Qark dhe si Këshill Bashkiak mundohemi të ndjekim vizionin e kryebashkiakut dhe të Bashkisë së Tiranës për të investuar pikërisht në kopshte, në çerdhe dhe në shkolla. Kështu që ju uroj në këtë ditë ta gëzoni kopshtin e ri”, tha Dalipi.

Duke u shprehur krenar për rezultatin e arritur nga ky rikonstruksion që u garanton fëmijëve të qytetit kushte moderne dhe një shërbim model, ambasadori turk, Hidayet Bayraktar, shprehu bindjen se ky bashkëpunim i suksesshëm i nisur me Bashkinë dhe Këshillin e Qarkut Tiranë do të fuqizohet edhe më tepër në të ardhmen.

Kopshti Nr. 60 ka funksionuar më parë si kopsht pa drekë dhe pas ndërhyrjes me mbështetjen e donatorëve, tashmë i ka të gjitha kushtet për të funksionuar si kopsht me drekë.

Ndërhyrja solli riparimin e çatisë, instalimin e nyjeve të reja sanitare, si dhe rikonstruksionin e mjediseve me lagështirë.