Qarku Tirane

Një lajm i bukur për Shqipërinë në këtë fillim vjeshte

Published at : 05/09/2016 - 19:06

Rreth 120 mijë persona, besimtarë, ndjekës të Nënë Terezës apo dhe njerëz të thjeshtë u mblodhën në Sheshin e Shën Pjetrit, për të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të kësaj gruaje me origjinë shqiptare e cila me veprën e saj bëri që e gjithë bota të fliste për të.

Ceremonia, e mbajtur në nder të saj, përbën dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme për Kishën katolike në këtë vit të Jubileut të Mëshirës. Rreth orës 10.40 minuta të ditës së diel, Papa Françesku lexoi formulën e shenjtërimit, duke e shpallur kështu Nënë Terezën shenjtore. Gjatë leximit të omelisë më pas, Papa u ndal në ato vlera që kanë dalluar Nënë Terezën. “Në të gjithë ekzistencën e saj ka qenë bujare e mbartëse të mëshirës hyjnore.

Ajo u angazhua në mbrojtje të jetës, u përkul ndaj personave të braktisur, të lënë në prag të vdekjes nëpër rrugë, duke u njohur atyre dinjitetin që Zoti u kishte dhënë”, u shpreh Papa ndërsa vuri në dukje forcën dhe ndikimin që Nënë Tereza arriti të ketë edhe përballë njerëzve të fuqishëm të kohës. Nënë Tereza është një figurë aktuale që ka bërë botën të flasë për të dhe veprën e saj. Misionet e motrave të Nënë Terezës janë sot të pranishme në shumë vende të botës duke ndjekur trashëgiminë e saj.

E pikërisht për këtë, Papa Françesku u shpreh se “ndoshta do ta kemi pak të vështirë ta thërrasim Shën Tereza, shenjtëria e saj është kaq e afërt me ne, kaq e dashur dhe bujare saqë në mënyrë spontane do të vazhdojmë ta thërrasim Nënë Tereza”.

Të shumtë në numër ishin dhe shqiptarët, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia por dhe shumë prej atyre që jetojnë në emigracion. Sot është shumë e lehtë të dëgjosh të flasin në gjuhën shqipe në sheshin Shën Pjetri, sikundër të dallosh shqiptarët nga flamujt me simbolet kombëtare që ata valëvisin apo mbajnë të hedhur krahëve.

Ndërsa në Vatikan zhvillohej ceremonia e shenjtërimit të Nënë Terezës, në Tiranë Bashkia e Tiranës organizoi një sërë aktivitetesh. Ato u zhvilluan në sheshin që mban emrin e Nënë Terezës, ku u vendosën pllakatat me emrin e shenjtores më të re të Kishës Katolike, si dhe u mbajt një koncert tematik.

Nënë Tereza gjatë gjithë jetës së saj nuk e mohoi asnjëherë origjinën shqiptare, duke e bërë më të bukur këtë vend. E bëri edhe këtë fillim shtatori.