Qarku Tirane

Në Tiranë vendoset busti i Papa Franceskut

Published at : 14/03/2016 - 11:42

U përurua sot në trekëndëshin e gjelbërt përballë Kambanës së Paqes, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” monumenti i Papa Françeskut, në kujtim të vizitës që ai zhvilloi në 21 shtator 2014 në Tiranë. Busti i tij u zbulua gjatë një ceremonie të posaçme nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe Nunci Apostolik në Tiranë, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Iglès, me pjesëmarrjen e dhjetëra personaliteteve të tjera politike e fetare.

Në fjalën e tij në ceremoni, Presidenti Nishani vlerësoi lart figurën e Papa Françeskut dhe në mënyrë të veçantë përzgjedhjen që ai i bëri Tiranës, si pikënisje e vizitave të tij në shtetet evropiane. “Jam edhe i emocionuar sepse sot, në cilësinë e kryetarit të Shtetit Shqiptar, por edhe si qytetar i këtij vendi, mbushem me krenari kur mendoj se kemi fatin të jemi të gjithë dëshmitarë se si busti i Atit të Shenjtë po përurohet e përjetësohet pikërisht këtu, pranë Kambanës së Paqes, aq më tepër para ish muzeut të diktatorit, ideologjia e dështuar e të cilit dikur u përpoq të shembte kisha e xhami dhe të burgoste e vriste klerikë e besimtarë, të pafajshëm”, tha Nishani.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e nisi fjalën e tij me unanimitetin që treguan forcat politike të përfaqësuara në Këshillin Bashkiak të Tiranës, në miratimin e vendimit për vendosjen e bustit, si shenjë e vlerësimit të figurës së Papa Françeskut. “Nuk e di nëse ka ndonjë vendim tjetër të Këshillit Bashkiak që të jetë marrë në mënyrë kaq unanime dhe aq pa hezitim sa vendimi për të nderuar, sado modestisht, Atin e Shenjtë përmes këtij gjesti. Përtej tensioneve, përplasjeve e sherreve që kemi për shumëçka, nuk mund të mos ishim në një mendje për një çështje si kjo”, u shpreh kryebashkiaku. Gjithashtu, Veliaj theksoi se ardhja e Papa Franceskut në Shqipëri ishte padyshim një moment i bukur për të gjithë shqiptarët, pavarësisht përkatësive fetare, kjo pasi sipas tij, mesazhi që ai dha nuk lidhej ekskluzivisht me ndonjë besim fetar, por shkonte në zemër të filozofisë e moralit të secilit prej besimeve: mesazhi i vëllazërisë, harmonisë, bashkimit e solidaritetit.

“Ne shqiptarët kemi pasur e kemi një histori të vështirë. Por, asnjë nga këto vështirësi nuk i gjen rrënjët e saj te feja dhe besimi. Ajo që mund të ishte një arsye për t’u ndarë dhe për t’u përçarë, në Shqipëri ka rezultuar një faktor bashkimi. Me të drejtë, Ati i Shenjtë e quajti vëllazëri fetare. Një fjalë që ne s’e kishim përdorur kurrë për të përshkruar diçka që thjesht e marrim si të mirëqenë. Por, që në fakt është përshkrimi më i duhur i asaj çka kanë arritur të ndërtojnë të gjithë bashkë si shqiptarë, pavarësisht vështirësive”, tha Veliaj.

Në këtë ceremoni përshëndeti edhe zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, i cili theksoi se vizita e Papa Françeskut, gati dy vite më parë, bëri të mundur që harmonia jonë fetare të njihej nga e gjithë bota. Ndërkohë, Nunci Apostolik në Tiranë, Arqipeshkvi Ramiro Moliner Iglès, pasi falenderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin dhe nderimin e Papa Françeskut, theksoi se Shqipëria është shembull se bashkëjetesa paqësore mes besimtarëve e bashkësive të ndryshme fetare, është jo vetëm e dëshirueshme, por edhe konkretisht e mundshme dhe e realizueshme.

Busti është vepër e autorit Qazim Arifi dhe është realizuar falë bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Ambasadës së Selisë së Shenjtë në Tiranë. Me vendosjen e këtij busti në këto mjedise krijohet një memorial në vlerësim të personaliteteve të shquara të Vatikanit, siç është Papa Gjon Pali II, që është bekuesi i simbolit të Këmbanës së Paqes dhe Papa Françeskut për vlerat e sipërmendura.

Vendimi u mor pak ditë më parë me unanimitet nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.