Qarku Tirane

Konferenca Kombëtare për Qeverisjen Vendore Tiranë

Published at : 31/10/2015 - 17:48

Me rastin e 30-vjetorit të hapjes për nënshkrim të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Lokale, 20-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës dhe 15-vjetorin e Ratifikimit të Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore , Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, organizoi të premten 30 tetor 2015, Konferencën Kombëtare për Qeverisjen Vendore. Në fjalën e tij hyrëse, Ministri Çuçi tha që 61 bashkitë e reja, produkt i reformës administrativo-territoriale, tashmë përfaqësojnë realitetin e ri të qeverisjes vendore në Shqipëri dhe se me thellimin e procesit të decentralizimit, janë një mundësi për të shndërruar rrënjësisht mënyrën se si qeveria punon për qytetarët, duke iu ofruar shërbime publike me cilësi të lartë dhe në kohë. Kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh se: “Kjo reformë, ishte e vetmja rrugë për të çelur një kapitull të ri në riorganizimin e strukturave të këtij shteti në funksion te qytetarëve dhe për të garantuar kushte shumë më të favorshme për një zhvillim të integruar urban, ekonomik dhe social.” Në këtë konferencë morën pjesë dhe diskutuan edhe Zv/Presidenti i Dhomës së Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, z. Anders Knape, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, SHTZ. Donald Lu, Ambasadori i Zvicrës, SHTZ. Christoph Graf, Përfaqësues i Delegacionit Europian, z. Jan Rudolph dhe z. Johan Ndisi, përfaqësues i Ambasadës Suedeze, kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, znj. Voltana Ademi, kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, z.Aldrin Dalipi, kryetarja e Qarkut Shkodër, znj. Greta Bardeli dhe autoritete të tjera vendore. Konferenca, ndër të tjera nënvizoi arritjet e reformave në vendin tonë, rolin e shoqatave në reformat e qeverisjes vendore dhe çështje të menaxhimit të financave publike në kuadër të decentralizimit fiskal. Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi gjatë punimeve të konferencës së mbajtur në Hotel Tirana u takua me Zv/Presidentin e Dhomës së Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës, z. Anders Knape si dhe Sekretarin e Përgjithshëm.