Qarku Tirane

Këshilli i Qarkut nderon pasardhës të Dëshmorëve: Ditë kujtese që frymëzon gjeneratën e re

Published at : 06/05/2017 - 13:07

Si çdo vit, Tirana dhe gjithë Shqipëria kujtuan dje 5 Majin, ditën e sakrificës së djemve dhe vajzave që dhanë jetën për atdheun duke rënë dëshmorë.

Këshilli i Qarkut Tiranë në bashkëpunim me “Organizatën e LANÇ-it dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut” në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar organizuan simpoziumin “Takim Përkujtimor” për të vlerësuar sakrificat e dëshmorëve të atdheut.

Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi tha se një ditë si 5 Maji është moment kujtese për të respektuar e nderuar dëshmorët e luftës që besuan deri në fund te vlera e lirisë, për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Gjenerata jonë u rrit me respektin për ditën e 5 Majit dhe emrin e Qemal Stafës, mësuam sesi shumë të rinj zgjodhën pa mëdyshje rrugën e sakrificës sublime duke ëndërruar një të ardhme më të mirë, por sot më shumë se kurrë kemi nevojë pë mesazhin që ata lanë pas të cilin e nënshkruan duke dhënë jetën: mesazhin se ja vlen të luftosh e të besosh për të qenë në anën e duhur të historisë,të besosh te ndryshimi, dhe te vlerat më të mira të lirisë,sepse është gjëja më e drejtë për të sotmen e të nesërmen për Shqipërinë që duam”, theksoi Dalipi.

Më tej ai falënderoi Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për kujdesin dhe mbështetjen e vazhdueshme të tij, për të respektuar veteranët e luftës, familjet e pasardhësve të dëshmorëve dhe vëmendjen e tij të veçantë për ditë të tilla të kujtesës historike, si dhe punës së Bashkisë Tiranë për sistemimin dhe rregullimin për vendet e kujtesës për dëshmorët e luftës. Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vlerësoi sakrificat e dëshmorëve të atdheut të cilët dhanë jetën për lirinë dhe zhvillimin e vendit.

Unë ndihem mirë për faktin se pjesa e shëndoshë e shoqërisë merr kohë në ditët e sotme sepse besoj se një shoqëri që nuk ka mundur të reflektojë mbi çka ka kaluar, e ka shumë të vështirë të ëndërrojë gjëra të mëdha për atë që vjen. Ne nuk mund të jemi një shtëpi pa inventar dhe një qytet që nuk kujdeset për varrezat e dëshmorëve, lapidarët, për vendet e shënuara ku kanë ndodhur ngjarje të qenësishme. Një shtëpi pa inventar, që nuk mban mend nga ka ardhur, sigurisht nuk e gjen dot ku do shkojë”, tha ai.

Veliaj foli dhe për sfidat e brezit të ri, duke apeluar për më shumë bashkëpunim dhe idealizëm. “Unë besoj se brezi i të rinjve sot në Shqipëri e ka këtë sfidë dhe kur shoh me sa gjëra të kota merren, sa shumë flasin e sa pak bëjnë, sa shumë zihemi e sa pak duhemi, sa shumë shajmë e sa pak bashkëpunojmë, unë besoj se ky është ndoshta apeli më i madh i gjeneratës sime dhe atyre 22 vjeçarëve që ende janë në kërkim të asaj doze ose minimum doze idealizmi, si ajo që kishte Qemal Stafa apo i gjithë brezi i atyre që luftuan”, u shpreh Veliaj.

Gjatë aktivitetit Këshilli i Qarkut vlerësoi me titullin e mirënjohjes disa familje të dëshmorëve duke nisur nga nipi i Qemal Stafës e të tjerë.