Qarku Tirane

Këshilli Bashkiak Tiranë shembull kombëtar për transparencën publike

Published at : 21/11/2017 - 10:46

 

Qendra për Çështjet e Informimit Publik, INFOCIP, shpalli këtë të hënë gjetjet e Monitorimit te Posaçëm për implementimin e ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.

Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me “Lëviz Albania”, mbështetur nga Ambasada Zviceriane.

“Procesi i diskutimit dhe votimit nga këshillin bashkiak Tiranë është dinamik. Ai është menaxhuar me kompetencë dhe profesionalizëm nga kryetari i Këshillit Bashkiak,  Aldrin Dalipi.  Axhenda e mbledhjes dhe pikat shtesë të saj janë miratuar konformë përcaktimeve ligjore që në fillim të mbledhjes pas marrjes së kuorumit nga sekretari i këshillit bashkiak”, theksohet në raportin e monitorimit.

Monitorimi mati dhe vlerësoi implementimin e kapitullit VI dhe IX të ligjit në fjalë në tre bashki të rëndësishme të Qarkut.

Nga monitorimi rezultoi se Këshilli Bashkiak Tiranë është shembull kombëtar për transparencën publike.

Raporti

Raporti vlerëson se vendimet e tij janë të publikuara me rregullsi në faqen zyrtare të internetit, në një rubrikë të posaçme brenda faqes, ku gjendet e plotë arkiva e vendimeve të Këshillit që nga viti 1993, duke përfaqësuar në këtë mënyrë edhe arkivën më të plotë të vendimeve krahasuar me të gjitha bashkitë e vendit.

Raporti konstaton se për periudhën nëntor 2016-nëntor 2017, Këshilli Bashkiak Tiranë ka marrë 119 vendime dhe gjatë kohës që është realizuar ky monitorim, të gjitha mbledhjet janë zhvilluar të hapura për median dhe publikun.

INFOCIP evidenton se ka ndjekur mbledhjet e Këshillit Bashkiak nga salla, duke mos hasur asnjë vështirësi për të siguruar akses, madje është mirëpritur si nga vetë këshilltarët, ashtu edhe nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi.

Më tej thuhet se Këshilli Bashkiak Tiranë ka ndërtuar në këto vite traditën e transmetimit live të mbledhjeve që zhvillon ne çdo televizion apo radio që ka interes për transmetimin e seancave të mbledhjeve të Këshillit.

Duke e cilësuar një praktikë pozitive, në raport theksohet se ky është një tregues që flet në favor të zhvillimit të hapur të mbledhjeve të këshillit bashkiak të kryeqytetit. Në këtë kuadër, vlerësohet edhe njoftimi nga ana e sekretariatit teknik të njoftimeve për mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke u vënë në dispozicion përfaqësuesve të medias dhe të shoqërisë civile disa ditë para datën, orën dhe axhendën e përcaktuar.

Duke u ndalur tek mënyra e funksionimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak dhe respektimi i kuadrit ligjor, ku vlerësohet pozitivisht respektimi i kuorumit të nevojshëm për zhvillimin e mbledhjes dhe mënyra e moderimit të këtyre mbledhjeve duke respektuar barazine gjinore dhe inkurajimin e te rinjve.