Qarku Tirane

Java Europiane e Rajoneve, në Bruksel për nxitjen e një turizmi të qëndrueshëm në rajonin e Mesdheut

Published at : 10/10/2019 - 21:59

Sektori i turizmit është ndër gjeneruesit me të ardhura më të larta në Mesdhe, pjesë e të cilit është dhe bregdeti ynë e më tej.

Turizmi mbetet një sektor kryesor ekonomik për sa i përket vlerës së shtuar bruto dhe punësimit dhe kontribuon drejtpërdrejt në ekonomitë rajonale me sinergji sektoriale dhe efekte të forta shumëfishimi.

Megjithë rëndësinë e tij ekonomike dhe sociale, zhvillimi i turizmit po ushtron trysni edhe mbi mjedisin natyror e të ndërtuar e që duhet mbrojtur në nivel vendor e territorial.

Shfrytëzimi i potencialit të plotë të turizmit kërkon një qasje inovative dhe një bazë të qëndrueshme. Prandaj, strategjitë efektive dhe veprimet e integruara duhet të zhvillohen dhe zbatohen në të gjithë rajonin e Mesdheut.

Me këtë objektiv të përbashkët, u zhvillua në Bruksel takimi me eurodeputetë, drejtues rajonesh dhe personalitete nga Mesdheu në fushën e turizmit.

Ky event i organizuar në kuadër të Javës Evropiane të Qyteteve dhe Rajoneve, pati si qëllim të nxisë diskutimin mbi rëndësinë e një qasje të qëndrueshme në turizmin evropian, me një vëmendje të veçantë për zonën e Mesdheut. Në takim u mblodhën rreth 60 pjesëmarrës që përfaqësojnë institucionet e BE-së, politikë-bërësit, aktorët publikë të turizmit në nivelin evropian, kombëtar, rajonal, si dhe disa përfaqësues të Komunitetit të Turizmit të Qëndrueshëm të MED.

Tirana u përfaqësua nga Kryetari i Qarkut, Z. Aldrin Dalipi, i cili edhe adresoi të rejat më të fundit nga territori ynë e alternativa për një turizëm të qëndrueshëm. Në fjalën e tij, ai tha se “Qarku i Tiranës prej 4 vitesh, po kontribuon fort bashkë me rajonet e tjera të Adriatikut dhe Jonit në mënyrë që të inkurajojmë dhe forcojmë projektet e përbashkëta në këtë hapësirë të rëndësishme që na bashkon. Turizmi në nivelin vendor është i lidhur ngushtë dhe një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të ekonomisë blu dhe ekonomisë së gjelbërt. Në Qarkun e Tiranës, ne kemi patur një rritje ekonomike me 8%, ndërsa numri i turistëve të huaj nga vendet e BE-së është shtuar me rreth 14% në vitin 2018, ndërsa në 6 mujorin e parë të këtij viti ka gjithashtu progres, gjë që tregon pikërisht këtë zhvillim.

Më tej, ai theksoi se në shumë prej vendeve tona kemi nevojë të fokusohemi në çështjet e inovacionit në turizëm, progresin ekonomik, por për më tepër, formimit të të rinjve tanë për t’u përballur me sfidat e të ardhmes në këtë fushë.

Të pranishëm në panel me zotin DALIPI ishin dhe eurodeputeti Z. Andrea COZZOLINO, Z. Gaetano ARMAO, zv. President i Rajonit të Siçilisë dhe Anëtar i Komitetit të Rajoneve, Z. Milosz MOMOT nga Komisioni Europian si nënkryetar për Turizmin, ndërsa takimi u moderua nga Z. Fracesco COCO, Sekretar i Përgjithshëm i Eurorajonit Adriatiko-Jonian.