Qarku Tirane

Eurodeputeti Gianni Pittella merr “Çelësin e Qytetit” të Tiranës

Published at : 04/11/2015 - 21:07

Në një ceremoni të veçantë, Kryetari i Këshillit Bashkiak, z. Aldrin Dalipi dhe Nënkryetarja e Bashkisë, znj. Brunilda Paskali, i dorëzuan Presidentit të Grupit Social – Demokrat në Parlamentin Europian, Gianni Pittella, “Çelësin e Qytetit”. Në ceremoni ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, deputetë të Parlamentit shqiptar dhe përfaqësues të Bashkisë së Tiranës. Kreu i Këshillit Bashkiak, njëherësh dhe kryetar i Këshillit të Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi vlerësoi rolin e zotit Gianni Pittella si një mik të mirë të Tiranës dhe të gjithë shqiptarëve. “Gianni Pittella është një avokat i palodhur i qytetarëve të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Çdo politikan dhe qytetar i thjeshtë ndihet mirë që ka në Parlamentin Europian një zë kaq të përkushtuar ndaj aspiratës sonë, për integrim të Shqipërisë dhe mbarë rajonit”, deklaroi z. Dalipi. Sipas tij, në disa situata të vështira që vendi ka kaluar, zëri i z. Pittella ka qenë mesazh maturie dhe dashamirësie njerëzore, duke ndikuar jo pak që Shqipëria të ndjekë rrugën e duhur. Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës falënderoi kryebashkiakun Veliaj për iniciativën dhe vlerësimin për z. Gianni Pittella, qytetarin e nderuar të Tiranës.