Qarku Tirane

Debat me studentë për Demokracinë Vendore dhe rolin e këshillave vendorë për pjesëmarrjen e publikut në vendimmarrje

Published at : 12/05/2018 - 13:15

Shfaqja me titull: “Në det të hapur”-Art & Debat këtë herë është transferuar në teatrin “Aleksandër Moisiu”në Durrës.

Një grup panelistësh gazetarë, aktivistë, politikanë, përfaqësues të pushtetit lokal diskutuan me të rinjtë me qëllim që t’i nxisin të jenë më aktivë në zhvillimin e politikave vendore si dhe në proceset zgjedhore.

Projekti ndërthuri artin skenik (shfaqjen e komedisë satirike të autorit polak Slavomir Mrozhek, “Në det të hapur”) me debatin publik.

Kjo vepër trajton absurditetet që krijojnë të pushtetshmit në çfarëdo rrethane që të ndodhen ata, duke mos hezituar për asnjë moment të shtypin e dhunojnë më të vegjlit, me të pa papushtetshmit. Votuesit e thjeshtë duken më të papushtetshmit për aq kohë sa ata nuk do të reagojnë, nuk do ta kundërshtojnë këtë pabarazi.

Të rinjtë nuk duhet të futen në radhët e njerëzve të papushtetshëm. Ata duhet ta kuptojnë njëherë e mirë sa e fuqishme është vota dhe aktivizimi i tyre.

I pranishëm në bashkëbisedim ishte kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi. Ai theksoi se rënia e interesit të të rinjve nuk është një fenomen vetëm shqiptar.

Ndërsa kur u pyet se si duhet të integrohet një i ri dhe çfarë duhet të bëjë ai në fillim të karrierës së tij zoti Dalipi tha: “Të rinjtë duhet të kryejnë me shumë sukses hapat e tyre shkollorë. Pra, të dalin me rezultate të larta. Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri dhe rajon kërkohen njerëz të kualifikuar që të mund të kenë performancë të lartë”.

Art&Debat do të shërbejë si mënyra alternative për të promovuar demokracinë vendore në Shqipëri, si pjesë e projekteve fituese të LëvizAlbania (që financohet nga “Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim”), që inkurajon organizatat e shoqërisë civile, individët dhe grupimet e tyre, të ndryshojnë nivelin e demokracisë vendore, nxitjen e politikave vendore që forcojnë rolin e të rinjve.