Qarku Tirane

Caritas në Tiranë vazhdon misionin e Nënë Terezës

Published at : 05/09/2019 - 18:44

Me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë z.Aldrin Dalipi vizitoi një nga qendrat ku shërbejnë Misionarët e Bamirësisë, motrat e Nënë Terezës.

Në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje, motrave të qendrës iu dorëzua dhe Simboli i Mirënjohjes së Qarkut me motivacionin “Për misionin dhe vlerat e tyre në ndarjen, kujdesin pa diskriminim, besueshmërinë, transparencën, dinjitetin për çdo person, bashkëpunimin dhe miqësinë”.

Duke vlerësuar këtë vizitë drejtuesi i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi në rrjetin social Twitter u shpreh: “Sot përjetova një moment shumë të veçantë, ndjeva paqe dhe shumë dashuri mes misionareve përmes të cilave Nënë Tereza vazhdon të jetë mes njerëzve në nevojë kudo. U lut për në të gjithë e sot në këtë ditë të lutemi për shpirtin e Nënë Terezës.”

Shenjtë Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.