Qarku Tirane

Bashkia e Tiranës dëgjesë me anëtarët e Këshillit Bashkiak për draftin final të Planit të Përgjithshëm Vendor

Published at : 26/12/2016 - 15:45

Pas diskutimeve me qytetarët në 24 dëgjesa të ndryshme publike, që u zhvilluan gjatë muajve të verës, Bashkia e Tiranës prezantoi sot draftin final të Planit të Përgjithshëm Vendor, “TR030”, të cilin e diskutoi me këshilltarët bashkiak, pak ditë para se të kalojë për miratim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në 29 dhjetor.

Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se Plani është produkt i një procesi që ka zgjatur më shumë se një vit, për të cilin kanë punuar dhjetëra arkitekte e urbanistë, dhe i është nënshtruar dy tureve të gjata diskutimesh dhe dëgjesash me të gjithë qytetarët dhe grupet e interesit. Ai u shpreh se drafti final që është gati për miratim projekton Tiranën europiane të së ardhmes.

"Ky vit që po lëmë pas ishte viti i ringritjes së Tiranës. Jemi ende larg ambicies tonë, por shpresoj që ky plan, me gjithë amendimet që mund të bëjmë, kur të hyjë në fuqi, do të realizojë ambicien tonë për një qytet europian. Minimalisht, secili prej nesh, qofte Kryetar i Bashkisë, anëtar i Këshillit Bashkiak, do të ketë mundësi të thotë që sa isha unë në atë detyrë, dhashë kontributin tim maksimal për një Tiranë shumë më dinjitoze se sa ajo që gjetëm”, tha Veliaj.

Ai shtoi se është bërë një punë e jashtëzakonshme me këtë projekt, i cili merr parasysh të gjitha zhvillimet demografike që ka pësuar dhe që pritet të pësojë kryeqyteti në të ardhmen.

Plani i vjetër nuk mund të ishte i njëjti plan që mund të përdoret për Shëngjergjin, Vaqarrin, Kasharin, Ndroqin, Krrabën e kështu me radhë. Kështu që, vetëm ndryshimi demografik dhe gjeografik i Tiranës, qoftë si shtesë 30 % e popullsisë apo si rritje 25 herë e territorit, nënkupton që kishim nevojë absolute për një plan të ri. Jo vetëm kaq. Plani i kaluar parashikonte një Tiranë të ngjeshur nga ana urbane që në 15-20 vitet e ardhshme parashikonte 4.5 milionë banorë. Kjo ne na u duk pak e paarsyeshme. Nuk mund të kemi një Shqipëri e gjysmë vetëm në Tiranë. Nuk i paragjykoj fare motivet, por besoj që i kemi dhënë planit një masë pak më njerëzore duke parashikuar një Tiranë që në vitin 2030 ka 1.5, 1.6 milionë banorë, pra rreth 1/3 e popullsisë së Shqipërisë, por jo diçka jorealiste”, shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Duke u ndalur te elementët përbërës të këtij plani Veliaj theksoi se ai parashikon një Tiranë shumë herë më të gjelbër dhe më të pastër dhe kjo falë edhe idesë për krijimin e pyllit orbital.

Na duhet që në vitet e ardhshme të investojmë 2 milionë pemë, për të rrethuar Tiranën me atë që quhet pylli orbital, që unë besoj se do të jetë një pajë oksigjeni që i lëmë gjeneratës tjetër. Ne filluam përpara një jave pyllëzimin e Farkës me 500 pemët e para, po vazhdojmë gjatë gjithë kësaj jave. Kjo është si ajo loja e fëmijëve me pazëll, është vetëm një copë, ama nëse do të vazhdojmë me të gjitha copat me këtë ritëm, le të themi brenda moshës tonë të pensionit, do të jemi krenar që i kemi lënë një gjenerate tjetër një Tiranë shumë më të pyllëzuar, ndërkohë që nuk është ky realiteti që kemi trashëguar”, u shpreh Veliaj.

Veliaj tha se pjesë e planit është Tirana policentrike, ndërsa theksoi se do të ndërtohen sheshe dhe parqe publike edhe në lagjet periferike.

Një ide që e kemi përqafuar që besoj është një ide për të cilën të gjithë kemi rënë dakord, si të majtë si të djathtë, ka qenë ideja e Tiranës policentrike, e një Tirane e cila shfryn presion përtej sheshit “Skënderbej”. Besoj kjo është një ide e mirë, por ama do të duhet që tani të buxhetojmë me konceptin e Tiranës policentrike, me sheshet dhe hapësirat publike në Kinostudio, në Kombinat, në Laprakë. Siç e keni vënë re, disa prej këtyre investimeve tashmë i kemi filluar, megjithatë plani e zyrtarizon dhe na shërben si udhërrëfyes edhe për buxhetin dhe për investimet nëse duam ta zgjerojmë konceptin e Tiranës policentrike”, bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ai gjithashtu theksoi se edhe në Planin e ri të Përgjithshëm Vendor parashikohet që të ndërtohet infrastruktura e duhur arsimore dhe sociale e cila do t'i përgjigjet zhvillimit që merr qyteti në çdo aspekt për çdo ditë.

Tirana është magneti për të gjithë shoqërinë shqiptare, është fuqia kryesore ekonomike mes 61 bashkive, është fuqi për punësimin dhe punëmarrjen, është vendi ku janë regjistruar më shumë kompani, vendi ku ka më shumë fluks tregtar, ndaj dhe është e pashmangshme ajo që në fakt po ndodh në çdo vit, që 20 mijë vetë nga provincat e Shqipërisë zhvendosen çdo vit në Tiranë. Çdo ditë në Tiranë regjistrohen në gjendjen civile 50 vetë. Pra duam ose jo, do të përballemi edhe me këtë fluks në rritje të popullsisë”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Plani parashikon ndërtimin e së paku 20 shkollave për t'iu përgjigjur së pari, emergjencave me mbipopullimin e shkollave aktuale.

“Është shumë e rëndësishme, që për herë të parë të fillojmë dhe të konceptojmë më mirë infrastrukturën sociale. Teksa na është rritur sistemi i banesave, teksa na janë rritur zonat rezidenciale, bashkitë ndër vite, nuk e kanë mbajtur dot hapin me institucionet arsimore që duhet të krijojmë. Kjo është dhe arsyeja pse edhe në plan do të shikoni të “mapuara” edhe ku do jenë 20 shkollat e reja. Do të duhet të marrim një vendim, ndaj dhe plani për herë të parë, vendos në hartë sipas dendësisë dhe sipas distancës që fëmijët do të kryejnë, edhe ku do të jenë shkollat e reja”, theksoi kryetari i Bashkisë.

Veliaj bëri thirrje që debati për Planin Urbanistik të Tiranës të fokusohet tek ai teknik dhe jo për të bërë politikë.

Ndërsa kryetari i Këshillit Bashkiak dhe Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi u shpreh se ky plan urbanistik vjen pas konsultave të vazhdueshme me të gjithë ekspertët.

Zoti Dalipi theksoi se ky plan urbanistik do të ndikojë në zhvillimin e Tiranës për vitet e ardhshme.

Mirëpresim të dëgjojmë sesi Plani trajton dhe rregullon problemet e qytetit lidhur me gjelbërimin, ambientin, energjinë, transportin, krijimin e qendrave të ndryshme, raportin e periferisë me qendrën kryesore, për më tej konceptin mbi zhvillimin dhe mbrojtjen e tokës nga tendencat e zaptimit në njësitë administrative që përfshijnë fshatrat, duke stimuluar agroturizmin dhe agrikulturën etj, deri te respektimi i hapësirave kulturore dhe fetare në kryeqytet”, tha Dalipi.

Duke e cilësuar si një projekt transparent, kreu i Këshillit Bashkiak u shpreh se nuk ka asnjë dyshim që Tirana sot është një histori suksesi.