Qarku Tirane

Bashkëpunimi mes Rajoneve Tiranë-Molise, përurohet busti i Skënderbeut në qytetin e Portocannones, Itali

Published at : 16/04/2019 - 10:53

Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi ndodhet për vizitë zyrtare dyditore në Itali, me ftesë të Presidentit të Dhomës së Deputetëve Fico dhe Presidentes së Senatit Casellati.

Z. Ruçi në këtë vizitë shoqërohet nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste z.Taulant Balla, Kryetarja e Komisionit të Jashtëm dhe Kryetare e Grupit të Miqësisë me Italinë znj.Mimi Kodheli, Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë z.Aldrin Dalipi dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Itali znj.Anila Bitri.

Kryetari i Kuvendit dhe delegacioni shqiptar, u pritën nga Presidenti i Rajonit Molise, Itali, z. Donato Toma, në Pallatin e Rajonit në Campobasso. Ata biseduan mbi bashkëpunimin e suksesshëm të rajonit Molise me Rajonin e Tiranës, me ministri, agjenci dhe organe të qeverisjes vendore, mbështetur edhe nga programet INTERREG, INTERREG-KARDS; INTERREG IPA II Itali-Shqipëri-Mali i Zi etj, dhe nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi me institucione e qarqe të tjera, të Shqipërisë.

Presidenti i Rajonit, Molise,z. Donato Toma e falënderoi Kryetarin e Kuvendit z. Gramoz Ruçi për vizitën në këtë rajon, si edhe në komunat arbëreshe dhe nënvizoi se bashkëpunimi me Shqipërinë është përparësi e bashkëpunimit ndërkombëtar të këtij rajoni. Po dje qyteti arbëresh Portocannone ishte kuq e zi. Aty u përurua busti i Skënderbeut dhe Kryetari i Kuvendit z. Gramoz Ruçi u nderua me titullin “Qytetar Nderi”, i Portocannones.

Për të pritur delegacionin shqiptar kishin dalë me qindra banorë të qytetit, autoritete lokale dhe fëmijët e shkollave.

Një flamur gjigant kuqezi ishte vendosur në sheshin qendror të qytetit dhe valëvitej në duart e dhjetëra fëmijëve.

“Është një nder i madh për qytetin tonë të kemi mes nesh për herë të parë një autoritet të lartë shtetëror nga Shqipëria. Dhe këtë respekt na e bëri Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Gramoz Ruçi”, tha mes entuziazmit dhe duartrokitjeve Kryetari i Bashkisë, z.Giuseppe Caporicci.

Ne i jemi atij thellësisht mirënjohës për nxitjen e lidhjeve dhe bashkëpunimit të katër komunave arbëreshe të rajonit Molise me Shqipërinë dhe për sjelljen mes nesh të bustit të heroit kombëtar të shqiptarëve, Skënderbeut dhe qyteti nderohet duke i dhënë z. Ruçi titullin “Qytetar Nderi”.

Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, z. Aldrin Dalipi theksoi se vlerësimi është mesazh se politika është mision njerëzor dhe jo konfliktual e padyshim tejkalon kufijtë e Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi përuroi bustin e Skënderbeut, vepër e Skulptorit të Popullit z.Mumtaz Dhrami, dhuruar Bashkisë së Portocannones nga Këshilli i Qarkut Tiranë.

Busti i heroit tonë kombëtar, u vendos në hyrje të ndërtesës së bashkisë së qytetit.