Qarku Tirane

Bashkëbisedimi me studentët, Dalipi: Të rinjtë, pjesë aktive e qeverisjes vendore

Published at : 14/05/2018 - 10:06

Kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi iu bashkua bashkëbisedimit të Përfaqësuesve të Aleancës së Këshilltarëve të Rinj të Bashkisë së Tiranës të cilit ishin pjesë e një diskutimi në Kolegjin Universitar “Luarasi” për sensibilizimin e të rinjve, për të qenë pjesë aktive e qeverisjes vendore.

Zoti Dalipi theksoi se ka ardhur koha që shumë prej studentëve të prekin drejtpërdrejt politikat që kanë të bëjnë me vendimmarrjen lokale.

Ne mendojmë që studentët duhet të njohin rolin e qeverisjes vendore, vendimmarrjet e saj që lidhen drejtpërdrejt me të rinjtë në komunitetin ku ata jetojnë. Në këtë kuptim, mendoj që ‘Luarasi’ përfaqëson një universitet shumë të rëndësishëm në Shqipëri, si nga pikë- pamja e pjesëmarrjes së studentëve apo cilësia e stafit të profesorëve. Ia vlejti sot diskutimi me studentët, shpresoj që në të ardhmen, të rinj të këtij universiteti të aspirojnë të jenë pjesë e këshillave bashkiakë në territoret ku jetojnë apo Këshillin Bashkiak të Tiranës”.

Ndonëse përfaqësues nga parti të ndryshme politike, në atë që quhet ‘Parlamenti i Tiranës’, sipas Dalipit, ata i bashkon i njëjti mesazh: të rinjtë duhet të jenë pjesë aktive e atij institucioni.

Krijimi i Aleancës së të Rinjve është një mesazh i fortë, që të rinjtë duhet të jenë pjesë aktive e qeverisjes vendore. Disave prej jush mund t’ju duket e largët të qenit anëtar Këshilli. Nga eksperienca ime që nga 2011, prezenca e të rinjve në këtë mandat është si nata me ditën. Roli i tyre ka qenë jashtëzakonisht aktiv dhe vjen duke u rritur”, theksoi Dalipi.

Duke përfituar nga eksperienca e tij disavjeçare në Këshill, Dalipi dha edhe leksionet e para për ata që aspirojnë që një ditë të zënë një ulëse në organin vendor.

Gjëja më e rëndësishme kur je anëtar i një Këshilli Bashkiak është mosndikimi nga debatet që bëhen në nivelin qendror. Edhe kur kam qenë në opozitë, edhe në mazhorancë, mendoj se suksesi i një këshilltari, grupi këshilltarësh apo i gjithë Këshillit Bashkiak, ka të bëjë me faktin se sa iu përgjigjet drejtpërdrejt qytetarëve në terren. Aleanca e këshilltarëve të rinj ka një rol të rëndësishëm”, nënvizoi kryetari i Këshillit Bashkiak.

Sakaq, kryetarja e Aleancës së Këshilltarëve të Rinj në Bashki, Joleza Koka, informoi të rinjtë në lidhje me fondet që bashkia akordon posaçërisht për ta, si dhe me mënyrat si mund të ushtrojnë të drejtën e tyre në qeverisjen vendore. Aleanca e Këshilltarëve të Rinj është një strukturë për nxitjen dhe pjesëmarrjen e të rinjve në politikëbërje në nivel lokal.