Qarku Tirane

9 Maji, inaugurohet “Parku i Europës” në Tiranë, transformimi i kryeqytetit, përmbushja e ambicies tonë evropiane

Published at : 09/05/2018 - 23:23

Dita e Europës në Tiranë u festua me përurimin e “Parkut të Europës”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranë, Aldrin Dalipi si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Europian në vendin tonë mbollën pemë në lulishten e re pas monumentit të Heroit Kombëtar në sheshin “Skënderbej” duke sjellë një copëz Europe në zemër të Tiranës.

Në fjalën përshëndetëse, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se ky park i ri përfaqëson ambicien europiane të qytetarëve të vendit tonë, teksa shtoi se kthimi i këtij sheshi dhe i kësaj hapësire që kanë qenë para deri një viti hapësira më e madhe për makinat, është tashmë një hapësirë e dedikuar totalisht për njerëzit.

Kreu i Bashkisë deklaroi se Tirana është në avangardë të integrimit evropian të Shqipërisë dhe se transformimi i saj në një qytet evropian është përmbushja e ambicies tonë evropiane.

Veliaj nënvizoi se edhe vetë Bashkia e Tiranës përfaqëson në një farë mënyre Bashkimin Europian, pasi shumë prej atyre që sot punojnë për të implementuar projekte të ndryshme në qytet kanë sjellë sëbashku eksperiencat e tyre si studentë apo emigrantë në Europë.

Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson vlerësoi faktin që një hapësirë që më parë ishte dedikuar për makinat sot është kthyer në një hapësirë që me pemët e ndryshme e mbjella rishtazi do të përfaqësojë familjen e madhe europiane në Tiranë. Ai shtoi se pas disa vitesh ku park do jetë kthyer në një pyll të Europës në Tiranë.

Bashkë me sheshin “Skënderbej”, Tirana bëhet një nga kryeqytetet më unik në Ballkan me një sipërfaqe tepër të konsiderueshme në qendër të tij e dedikuar tërësisht për qytetarët.

Në shenjë miqësie dhe bashkëpunimit mes dy qyteteve, Veliaj i dorëzoi z. Chrisitan Danielsson “Çelësin e Qytetit”.

Në kuadër të Ditës së Evropës, rrugë të ndryshëm të kryeqytetit si dhe vetë godina e Bashkisë së Tiranës u dekoruan me flamujt e vendeve të Bashkimit Europian.