Qarku Tirane

“Trofeu i Kalave” në Qarkun Tiranë, çiklistët nga i gjithë vendi në një tur fantastik për promovimin e vlerave historike

Published at : 21/04/2017 - 13:17

Institucioni i Këshillit të Qarkut të Tiranës në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Çiklizmit organizuan aktivitetin Çiklistik “Trofeu i Kalave”.

Qëllimi i kësaj gare çiklistike ishte promovimi i pasurive natyrore dhe historike të Qarkut të Tiranës, të cilat gjithnjë e më shumë po shndërrohen në një atraksion turistik për turistë vendas dhe të huaj përmes sportit të çiklizmit si një mesazh për të gjithë të apasionuarit e biçikletave.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin nëntë ekipe të njohura nga i gjithë vendi, si: Apolonia, Burreli, Vllaznia, Teuta, Besa, Skënderbeu, Elbasani, Partizani dhe Lushnja. Kompeticioni çiklistik u zhvillua në një gjatësi prej 85 km, me itinerar Kalaja e Prezës duke përshkruar territor në Kamëz, Vorë, e më pas në Bashkinë e Tiranës - Ndroq - Arbanë - Kalaja e Petrelës.

Në përfundim të garës, fitues u shpall Astrit Kronaj i ekipit të “Vllaznisë”, ndërsa vendi i dytë u fitua nga Amarildo Goga i ekipit “Apolonia” dhe vendi i tretë nga Bruno Kola i ekipit “Vllaznia”.

Kryetari i Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi u shpreh se “nisma të tilla synojnë që të promovojnë një jetë aktive dhe të shëndetshme për të gjithë grupmoshat ndërkohë që sjellim në vëmendje atraksionet historike e turistike në Qarkun e Tiranës.”

Kjo ishte faza e parë e një bashkëpunimi që do vazhdojë në të ardhmen.

Zoti Dalipi theksoi se zhvillimi i këtyre garave çiklistike por edhe i tureve në zonat rurale ku ndërthuren natyra dhe tradita, është mënyra e duhur sesi qytetarët duhet të jetojnë jetën e tyre. Nismëtarët theksuan se ky aktivitet që nisi këtë vit të kthehet në traditë të bukur në Qarkun e Tiranës dhe pse jo të përhapet në të gjithë vendin.