Qarku Tirane

“Nata e Bardhë”, një tjetër yll muzikor ndez Tiranën

Published at : 03/11/2017 - 14:20

A jeni gati për “Natën e Bardhë”? Nëse përgjigja është po, atëherë bëhuni gati për surprizën e radhës. Sepse pas Jessie J, John Newman, Giusy Ferrerit, Bebe Rexhës dhe Dua Lipës, një tjetër emër i njohur i muzikës botërore do të ndezë Tiranën e 29 Nëntorit.

Kësaj here në skenë do të ngjitet e mrekullueshmja Emeli Sande, të cilën Bashkia e Tiranës e ka ftuar të jetë pjesë e festës që do të kulmojë pikërisht me një koncert madhështor për të gjithë të pagjumët e kryeqytetit.

Tradita vijon, Tirana do të jetë më e ndriçuar se kurrë në 29 Nëntor, kur dyert e artit dhe kulturës do të hapen për të gjithë qytetarët dhe kryeqyteti do t’i jepet festës deri në agim. Emeli Sande është një nga këngëtaret më të mira të momentit dhe hitet e saj renditen në krye të klasifikimeve botërore. Artistja skoceze spikati me këngën “Diamond Rings” e reperit Chipmunk në vitin 2009, e cila u bë pjesë e top 10-shes së singëllave muzikor në UK Singles Chart.

Në vitin 2010 ajo erdhi me “Never Be Your Woman” të reperit Wiley, ndërsa në vitin 2012 fitoi çmimin e kritikës Brit Aëards ‘Critics’ Choice Award. Albumi i saj “Our Version of Events” qëndroi për 10 javë, në vend të parë dhe u bë albumi më i shitur i vitit 2012 në Mbretërinë e Bashkuar, me mbi 1 milion kopje.

Në vitin 2016, ajo lançoi albumin e saj të 2-të të regjistruar në studio “Long Live the Angels”, që debutoi në vend të 2-të në renditjen e albumeve në Mbretërinë e Bashkuar.