Qarku Tirane

“Fundjavë Ndryshe” vlerësohet “Nderi i Qarkut” Tiranë

Published at : 20/05/2019 - 15:52

Këshilli i Qarkut të Tiranës vlerësoi Fondacionin “Fundjavë Ndryshe” dhe drejtuesin e saj Arbër Hajdari me titullin “Nderi i Qarkut”.

“Për kontributin e çmuar në ndihmë të njerëzve në nevojë dhe gjithë shoqërisë si shembull frymëzimi për të rinjtë vullnetarë. Model i vlerave më të larta të humanizmit dhe përkushtimit”.

Çmimi u dha nga kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, z. Aldrin Dalipi, i cili çmoi punën që Fondacioni ka kryer në ndihmë të njerëzve në nevojë në Tiranë e gjithë Shqipërinë.

“Ke bërë shumë njerëz të buzëqeshin në varfërinë e tyre dhe në hallet e problemet që ata kanë. E që shpeshherë ata që merren me politikë i harrojmë. Mesazhi yt është një mesazh shumë i fortë për Tiranën dhe për gjithë Shqipërinë. Shpesh herë na bën dhe kokë ulur për të kaluarën, sepse është një mesazh i fortë që shumë politika që ne bëjmë duhet t’i nisim në aspektin social. Duhet t’i nisim pikërisht nga ata njerëz që janë në varfëri.”

Ndërkohë drejtuesi i “Fundjavë Ndryshe” në fjalën e tij u shpreh se e gjithë suksesi i Fondacionit lidhet me bashkimin e mijëra shqiptarëve për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

“Unë mendoj se arsyeja që “Fundjava” u ngrit kaq lartë në kaq pak kohë ishte sinqeriteti i një grupi shumë të madh njerëzish. Të cilët nuk e pranonin dot realitetin e të parit të fëmijëve në atë lloj mënyrë që i kemi gjetur. Dhe ishte forca e rinisë shqiptare, por jo vetëm. Edhe e 466 mijë njerëzve brenda dhe jashtë vendit që kanë besuar dhe janë bashkuar me Fondacionin “Fundjavë Ndryshe”

Në ceremoninë e mbajtur në ambientet e Muzeut Kombëtarë morën pjesë vullnetarë, si edhe disa prej figurave të shquara të shoqërisë sonë.

Aktori i mirënjohur Bujar Asqeriu me fjalë emocionuese i tërhoqi vëmendjen politikës dhe institucioneve të jenë më të përgjegjshme për gjendjen e popullit.