Qarku Tirane

Çelet Pazari i Ri, hapësira multifunksionale ku ndërthuret e djeshmja me të sotmen

Published at : 14/03/2017 - 18:41

Në Ditën e Verës, Pazari i Ri hapi dyert për të gjithë qytetarët, ku 308 biznese kanë filluar aktivitetin e tyre ekonomik duke gjeneruar mbi 1000 vende të reja pune.

Falë investimit të Bashkisë së Tiranës me mbështetjen e Qeverisë dhe të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit (AADF), e gjithë kjo zonë është transformuar në një hapësirë që do të funksionojë 24 orë, ku paradite fokusi më i madh do të jetë te tregtia dhe pazari, kurse pasdite te kulinaria, restorantet rreth e rrotull dhe aktivitete të tjera kulturore, festa e panaire.

Në ceremoninë e hapjes së Pazarit të Ri morën pjesë Kryeministri Edi Rama, ministra, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Qarkut dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe deputetë. Kreu i qeverisë, Edi Rama, vlerësoi transformimin e thellë që ka pësuar kjo zonë, si dëshmia më e mirë e fuqisë së votës.

Vetëm 2 vjet më parë, këtu ishim akoma si 100 vjet më parë. Në një zonë ku secili përpiqej të mbijetonte në tezgën e vet, i rrethuar nga pluhuri, duke ecur përmbi puseta të hapura, duke përballuar baltën, mizat, insektet dhe bërrylat e njëri-tjetrit dhe vetëm sot mund të shikojmë se çfarë fuqie ka vota, çfarë fuqie ka pjesëmarrja e të gjithëve në procesin e qeverisjes së komunitetit duke bërë zgjedhjen e duhur. Parafytyroni si do të ishte sot këtu sikur në vitin 2015 Bashkia e Tiranës të mos ishte kthyer nga një konvikt me dhomë të madhe gjumi, ku gërhiste Kryetari i Bashkisë, në një shtëpi të përbashkët të komunitetit ku mendohet ditë-natë për njerëzit, për zonat, për familjet, për fëmijët, për të moshuarit dhe ku ditë-natë bëhen projektet e transformimit të madh që ka rifilluar”, tha Kryeministri Rama në fjalën e tij.

Ai theksoi se ky projekt është i udhëhequr me vendosmëri dhe me vullnet të jashtëzakonshëm nga Bashkia e Tiranës. Duke uruar të gjithë qytetarët për Ditën e Verës, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e cilësoi transformimin e Pazarit të Ri një punë fantastike që është bërë e mundur falë vendosmërisë për punë dhe për të qenë të bashkuar në çdo vendimmarrje. Veliaj bëri të ditur se ky investim ka gjeneruar një numër të konsiderueshëm biznesesh, të përkthyera këto në mbi 1 mijë vende pune. Veliaj tha se Pazari i ri është tashmë një hapësirë që rrezaton zhvillim duke sjellë një model të ri Veliaj theksoi se ky projekt sjell për herë të parë në Tiranë një kulturë të re të të bërit biznes dhe të bashkëpunimit mes bizneseve.

Bashkëdrejtuesi i Fondacionit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, (AADF), Martin Mata, ndërsa falënderoi Bashkinë e Tiranës për realizimin e këtij projekti, theksoi se ky bashkëpunim do të vazhdojë shumë shpejt edhe me zona të tjera të Tiranës.

Ndërhyrja e plotë në sheshin e Avni Rustemi dhe në Pazarin e Ri ka krijuar të gjitha kushtet për Markatën e Mishit dhe të Peshkut dhe në Markatën e Fruta Perimeve. Në Markatën e Mishit dhe të Peshkut janë vendosur 25 njësi shërbimi nga të cilat ka shitje mishi, peshku, brumeri si dhe bare e restorante duke i sjellë kësaj markate karakter multifunksional.

Ndërsa Markata e Gjelbërt (Markata e Fruta Perimeve) është konceptuar si një stilizim kontemporan i çative të shtëpive tradicionale tiranase, por e trajtuar me materiale rezistente dhe të kohës. Në këtë objekt janë akomoduar 169 tezga me një total prej 120 tregtarësh, ku 80 % janë tregtarë ekzistues të Pazarit të Ri para rikonstruksionit, 10% janë me produktet nga njësitë administrative (ish Komunat) dhe 10% janë modelet inovative më të mirat në treg. Në total numri i bizneseve arrin në 308 dhe gjenerohen mbi 1 mijë vende pune.

Rivitalizimi i sheshit Avni Rustemi, një prej pjesëve më kritike që ka patur ky Pazar, tashmë ofron mundësi të panumërta për aktivitete në çdo orë të ditës, që së bashku me rikonstruksionin e godinave përreth, e ka kthyer zonën në një pikë mjaft atraktive për turizëm.