Qarku Tirane

Takim SHKQSH-KiE, në fokus projekti “Forcimi i Strukturave të Qeverisjes Vendore...”

Published at : 20/09/2016 - 18:21

Kryetari i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë, Z.Aldrin Dalipi priti ditën e hënë, një ekip ekspertesh vlerësues të projektit të Këshillit të Evropës; “Forcimi i Strukturave të Qeverisjes Vendore dhe Bashkëpunimit të Përfaqësuesve të Zgjedhur Vendorë në Shqipëri – Faza II”.

Qëllimi i takimit ishte marrja e vlerësimeve dhe komenteve nga SHKQSH për realizimin e aktiviteteve të këtij projekti si edhe rekomandime për vijimësinë dhe ndërlidhjen e rezultateve të tij me sfidat në vijim të reformimin të pushtetit vendor në Shqipëri.

Z.Dalipi vlerësoi arritjet dhe aktivitetet në kuadër të këtij projekti, shkallën e komunikimit dhe gjithëpërfshirjes së gjithë aktorëve të ndikuar dhe përqasjen ndaj SHKQSH dhe aktivitetet e frytshme të realizuara nga ky koordinim.

Rekomandimi i Raportit të KE për pjesëmarrjen e SHKQSH në Këshillin Konsultativ mes pushtetit qendror dhe vendor ishte një prej arritjeve të dialogut dhe pjesëmarrjes aktive të Shoqatës dhe lidershipit të saj në aktivitetet dhe takimet e punës në kuadër të projektit “Forcimi i Strukturave të Qeverisjes Vendore dhe Bashkëpunimit të Përfaqësuesve të Zgjedhur Vendorë në Shqipëri – Faza II”.

Z.Dalipi paraqiti një panoramë të aktivitetit të rritur të SHKQSH që prej Dhjetorit 2015 dhe pjesëmarrjen e saj aktive në grupet e punës për ligjin e financave vendore dhe diskutimit të reformës se rajoneve dhe vizionin e saj të ri.

SHKQSH dhe lidershipi i saj, inkurajuan prezencën e KE dhe komponenteve të tjerë të projektit edhe më gjatë në kuadër të finalizimit dhe të Ligjit për Financat Vendore dhe procesit të reformës së pushtetit vendor dhe rikonfirmuan gatishmërinë dhe vullnetin për bashkëpunim të mëtejshëm.