Qarku Tirane

Rajonet e Adriatikut dhe Jonit diskutojnë për agroturizmin në Tiranë

Published at : 27/04/2016 - 09:31

Me nismë të Eurorajonit Adriatiko-Jonian dhe kryetarit të Këshillit të Qarkut të Tiranës, z. Aldrin Dalipi, njëkohësisht Zv.President i Eurororajonit Adriatiko Jonian, u mbajt sot në Tiranë Konferenca Ndërkombëtare me temë “Zhvillimi i Agroturizmit, Mjet për Zhvillimin Socio-Ekonomik të Rajoneve Tona”.

Qëllimi i Konferencës ishte diskutimi i zhvillimeve më të fundit në Eurorajonin Adriatiko Jonian dhe diskutimi mbi aktivitete dhe projekte të ardhshme mes vendeve të këtij rajoni për zhvillimin e koordinuar të agroturizmit si mjet për zhvillimin socio-ekonomik të rajoneve Adriatiko Joniane, në kohezion me objektivat e Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko Jonian (EUSAIR) si dhe të ndajë përvoja pozitive dhe sfida në drejtim të qeverisjes vendore.

Konferenca u hap nga Z.Aldrin Dalipi, Kryetar i Qarkut të Tiranës dhe u përshëndet nga Nikola Dobroslavić, President i Eurorajonit Adriatiko Jonian dhe njëkohësisht President i Rajonit të Dubrovnikut dhe z. Luciano D’Alfonso, Zv. Presidenti i Eurorajonit Adriatik Jonian dhe njëkohësisht Presidenti i rajonit të Abruzzos, Itali.

Në konferencë mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, i cili mbajti një fjalë kushtuar mundësive që ekzistojnë për të zhvilluar agroturizmin, duke përfituar edhe nga përvojat e vendeve të tjera. Ai theksoi se Tirana me natyrën dhe klimën e saj, ofron mundësitë e nevojshme për zhvillimin edhe të këtij lloj turizmi.

Znj. Paola Di Salvatore, Drejtore e Autoritetit Menaxhues të  Programit IPA Adriatik të Bashkëpunimit Territorial Ndërkufitar, e cila mori fjalën në konferencë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve dhe projekteve të përbashkëta rajonale për rritjen e kohezionit social ekonomik të të gjithë vendeve ne EAJ dhe zhvillimin e agroturizmit si formë e respektit më të lartë ndaj tokës sonë dhe punës së njerëzve të mirë të rajonit tonë të begatë. 

Konferenca u adresua nga  Znj. Odeta Barbullushi,  Zv. Ministër e Punëve të Jashtme  dhe ndër të tjerë dhe nga Znj. Adela Shera Karapici, Zv. Ministre e  Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Z. Giovanni Di Stasi, ish President i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Z. Alfred Mullaraj, Kryetar i Këshillit të Qarkut Durrës, Z. Angelo Belliggiano, Profesor Doktor i Shkencave të Teknologjisë Agrare në Universitetin e Molisse, Itali dhe Z. Luan Bregasi, President i “Biznes Albania” e Z. Agim Rrapaj, President i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar.