Qarku Tirane

Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Dalipi: “Duhen vazhduar përpjekjet për të garantuar të drejtat e grave dhe vajzave”

Published at : 22/09/2016 - 13:24

Në Ditën Ndërkombëtare të Paqes, Kryetari i Qarkut Tiranë dhe Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi, adresoi sesion informues në kuadër të projektit: “Rezoluta 1325 - Të drejtat e grave, nga koncepti në realitetin shqiptar” që po zbatohet nga Shoqata e Grave me Probleme Sociale me mbështetjen financiare të Fondit për Barazinë Gjinore UN Women dhe Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri.

Kreu i Qarkut Tiranë vlerësoi angazhimin dhe punën e institucioneve shtetërore në koordinimin me organizmat donatorë ndërkombëtare dhe organizatat jofitimprurëse në vend për çështjet gjinore.

Ai nënvijëzoi se përballë arritjeve në fushën e barazisë gjinore në proceset vendimmarrëse në vend, duhen vazhduar përpjekjet  për të shtrirë efektet e tyre në të gjitha fushat e jetës, për t’i siguruar dhe garantuar grave dhe vajzave në Shqipëri gjithë të drejtat dhe mundësitë për zhvillim.

Përmes proceseve të ndërgjegjësimit, planeve të veprimit gjinor dhe mekanizmave monitorues të zbatimit të tyre dhe vullnetit të përbashkët të të gjithë palëve progresi në çështjet gjinore do të jetë më i shpejtë.

Rezoluta 1325, e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara,  synon të sigurojë që të drejtat e grave, veçanërisht ato në fushën e paqes dhe sigurisë dhe zbatimin e legjislacionit vendas dhe të huaj në këtë drejtim.

Projekti “Rezoluta 1325 - Të drejtat e grave, nga koncepti në realitetin shqiptar” po zbatohet  në Qarkun e Tiranës dhe qarqet Lezhë, Shkodër, Kukës, Berat dhe Vlorë.