Qarku Tirane

“Të miradministrojmë fondet e BE që të rrisim besimin, më pak seminare, më shumë punë për qytetarët”

Published at : 07/07/2016 - 13:28

Mbahet konferenca me temë “Parandalimi dhe lufta kundër parregullsive financiare dhe mashtrimeve”

 

Është organizuar në Tiranë Konferenca e Presidencës së Eurorajonit Adriatiko-Jonian për luftën kundër abuzimit dhe korrupsionit me fondet e Bashkimit Europian nga qeverisja vendore, si e vetmja mënyrë për të rritur besueshmërinë e qytetarëve dhe për të përfituar sa më shumë nga fondet e donatorëve të ndryshëm.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i pranishëm në konferencën me temë: “Parandalimi dhe lufta kundër parregullsive financiare dhe mashtrimeve” e organizuar nga Këshilli i Qarkut të Tiranës, në kuadër të Presidencës së Eurorajonit Adriatiko-Jonian dhe Autoritetit Menaxhues të Programeve të Bashkëpunimit Territorial Europian, ku theksoi rëndësinë që ka miradministrimi i financimeve të huaja, duke përfshirë edhe ato të projekteve IPA të Bashkimit Europian, jo vetëm për transformimin e qyteteve tona, por edhe për vijueshmërinë e tyre.

“Ka më shumë organizata se 100 familje rome, që në fakt paguhen nga Bashkimi Europian për të mbrojtur kauzat e këtij komuniteti. Por, ndonjëherë më rezulton se ka më shumë interes që kauzat dhe krizat të vazhdojnë, që të justifikohen projektet dhe konsulencat pa fund. Sa paguhen para për konsulenca mund të kishim mjaftueshëm para për t’iu blerë të gjithëve një shtëpi shumë të mirë, në një vend që as nuk përmbytet, as nuk rrezikohet, që është afër spitalit, afër shkollës, afër çerdhes. Besoj se është një moment reflektimi që fondet e Bashkimit Europian mos të përdoren më për të shpikur rrotën. Jemi në një situatë kur çdo njeri në Shqipëri është i mbiseminarizuar, i mbikonferencizuar, i mbitrajnuar për të gjitha çështjet. Ka ardhur koha që të bëjmë gjëra konkrete”, shtoi Veliaj.

Por, ndërsa vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme për të rritur garancitë për përdorimin dhe efiçensën e përdorimit të taksave dhe e fondeve të donatorëve, ai theksoi se kjo nuk duhet të kthehet në mjet që rrit burokracitë dhe zgjatjen e procedurave të lëvrimit të fondeve.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha gjithashtu se nevoja për të dëshmuar një miradministrim të fondeve të donatorëve bëhet edhe më e domosdoshme tashmë në një realitet krejt tjetër që krijoi fushata BREXIT, ku Shqipëria dhe rajoni u bënë target dhe kali i betejës së atyre që kërkuan daljen e Britanisë nga BE-ja.

Ndaj, ka theksuar Veliaj, është e nevojshme që t’i tregohet të gjithë skeptikëve se fondet e BE-së nuk shpërdorohen, por ato shkojnë në destinacion dhe u shërbejnë qytetarëve. Shqipëria është një ndër përfitueset e programit IPA dhe për herë të parë në Tiranë ka mbërritur drejtorja e autoritetit menaxhues të këtyre fondeve, e cila po njihet me reformat në vend.

Deputetja Majlinda Bregu tha se bashkitë duhet të ngrenë strukturat e tyre për të thithur fonde nga Bashkimi Europian në mënyrë që ato të mos menaxhohen nga qeveria.

“Deri më sot, Shqipëria nuk ka qenë një shembull i përkryer i menaxhimit të fondeve të huaja, por ka qenë një shembull serioz”, tha deputetja e PD, Majlinda Bregu.

Abuzimi me fondet publike duhet të jetë alarm për institucionet tha Bregu, pasi nëse Shqipëria do të humbë besimin e menaxhimit të fondeve të BE-së kjo do të ishte humbja më e madhe në procesin e integrimit.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi, në rolin edhe të organizatorit të kësaj Konference, solli në vëmendje se vetëm pak kohë më parë u festua 10-vjetori i krijimit të Eurorajonit Adriatiko-Jonian, ku përveçse u festua për arritjet, u caktuan edhe përgjegjësitë sfidat për të ardhmen.

Këto sfida, tha Dalipi, synojnë krijimin e një rajoni ku interesat ekonomike, politike dhe shoqërore të qytetarëve të jenë në krye të agjendës.

“Rajonet, qarqet kanë nisur prej vitesh tashmë, të jenë aktorët kryesorë në programet e Bashkimit Europian që lidhen me projekte të partneritetit ndërkufitar. Profesionalizmi dhe përgjegjësia me të cilën menaxhohen fondet IPA, dëshmojnë se qarqet kanë edhe përvojën e mirë, si një instrument më tepër në mekanizmin kundër mashtrimit financiar dhe parregullsive”, tha ai.

Por, kjo eksperiencë, shtoi Dalipi, ka gjithmonë nevojë për informacione të reja dhe modele suksesi, të cilat do të shërbenin si inkurajim për të gjetur zgjidhjet e duhura, jo vetëm në drejtim të parandalimit të mashtrimit financiar, por edhe të betejave të tjera.