Qarku Tirane

Kompetencat

  1. Qarku është njësi e nivelit të dytë të vetëqeverisjes vendore.
  2. Qarku përfaqëson një unitet administrativo - territorial, të përbërë nga disa bashki me lidhje gjeografike, tradicionale, ekonomike, sociale dhe interesa të përbashkët. Kufijtë e Qarkut përputhen me kufijtë e bashkive që e përbëjnë atë.
  3. Qendra e Qarkut vendoset në një nga bashkitë që përfshihen në të. Shtrirja territoriale, emri dhe qendra e Qarkut përcaktohen me ligj.
  4. Qarku kryen dhe ushtron kompetencat sipas parimeve të parashikuara në ligjin 139/2015 PËR VETËQEVERISJEN VENDORE
  5. Organ përfaqësues i Qarkut është Këshilli i Qarkut. Funksionet ekzekutive në qark kryhen nga Kryetari dhe kryesia e Këshillit të Qarkut.
  6. Organi përfaqësues i Qarkut krijohet me përfaqësues nga organet e zgjedhura të bashkive që e përbëjnë atë, sipas mënyrës së përcaktuar në Kushtetutë dhe në kreun XIII të ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”.
  7. Kryetari dhe kryesia e Këshillit të Qarkut zgjidhen nga Këshilli i Qarkut, sipas mënyrës së përcaktuar në kreun XIII, të këtij ligji.
  8. Këshilli i Qarkut Tiranë në mbledhjen e tij të datës 7/10/2015, zgjodhi me unanimitet si Kryetar të Këshillit të Qarkut Tiranë, z. Aldrin Dalipi.
  9. Funksionet e qarkut janë a) ndërtimi e zbatimi i politikave rajonale, b) harmonizimi i tyre me politikat shtetërore, në nivel qarku, si dhe çdo funksion tjetër i dhënë me ligj.

Qarku i Tiranës shtrihet në pjesën qendrore të Shqipërisë,duke zënë një pjesë të Ultësirës Bregdetare dhe asaj të Kavajës, viset kodrinore përreth tyre dhe Malësinë e Tiranës. Ai kufizohet nga Qarku i Durrësit në Veri-Perëndim, , me Qarkun e Dibrës në Veri e Verilindje, me Qarkun Elbasan në Lindje e Juglindje, me Qarkun e Fierit në Jug dhe me detin Adriatik në Perëndim. Qarku i Tiranës  ka një sipërfaqje prej 1.586 km² me  një popullsi prej 800.197 banorësh (2009). Qendra e Qarkut të Tiranës ndodhet në qytetin e Tiranës. 

Ky Qark shtrihet në një zonë gjeografike shumë interesante dhe një natyrë ku lehtësisht identifikohen diversiteti dhe potencialet e shumta turistike. Gjendet në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tokësore me rëndësi kombëtare dhe rajonale, në një fushë të gjerë pjellore, të rrethuar me kodra dhe male të veshura me pyje, me pasuri të shumta hidrike, klimë të përshtatshme për zhvillimin bujqësor dhe atë urban, me dalje në det dhe burime të shumta turistike.

Qarku i Tiranës përbëhet nga 5 bashki:

  1. Bashkia Tiranë
  2. Bashkia Kamëz
  3. Bashkia Kavajë
  4. Bashkia Vorë
  5. Bashkia Rrogozhinë